Koalicioni Pro Familjes, që kundërshtoi miratimin e ligjit për barazinë gjinore, thotë se të enjten në Kuvend humbi një betejë, por se luftën kundër këtij ligji do ta vijojë. E ftuar në Breaking në Top News, aktivistja e Koalicionit Pro Familjes, Linda Pano tha se do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për të kundërshtuar këtë ligj, nga ankimimi në Gjykatën Kushtetuese, deri te kërkesa për referendum. Kuvendi miratoi në orët e vona të së enjtes ligjin për barazinë gjinore, që opozita dhe koalicioni Pro Familjes e konsideron si shkatërrues për familjen, ndërsa socialistët thanë se ligji është kërkesë e direktivave të BE.