Ndonëse ende jo zyrtarisht, partitë politike në Shqipëri kanë nisur fushatën për zgjedhjet lokale të 14 majit, ku do të votohet për zgjedhjen e 61 kryetarëve të bashkive të vendit. Krahas partive, edhe ndërkombëtarët kanë nisur përgatitjet për t’i monitoruar nga afër këto zgjedhje, teksa misioni i OSBE-ODIHR do të kryesohet sërish nga britanikja Audrey Frances Glover, një emër jo i panjohur për vendin tonë. Glover ka qenë kryesuesja e misionit të OSBE-së për monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri, edhe në zgjedhjet locale të 2019-ës, në të cilat Partia Demokratike dhe disa subjekte të tjera politike, vendosën të mos garojnë.