Në Tiranë u zhvillua këtë të premte Forumi i Dytë Vjetor mbi Ozonin dhe Klimën, një aktivitet që synon të forcojë angazhimet e Shqipërisë për mbrojtjen e shtresës së ozonit dhe reduktimin e gazrave me efekt serrë. Në eventin e organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Njësia Kombëtare e Ozonit, në bashkëpunim me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Industrial (UNIDO) dhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), politikëbërësit, ekspertët dhe teknikët e sektorit të ftohjes diskutuan për detyrimet e Shqipërisë në kuadër të Protokollit të Montrealit dhe procesit të integrimit europian. Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj theksoi se Shqipëria po ecën me ritme të shpejta drejt përputhjes së plotë me standardet e Bashkimit Europian.