Presidenti i Federatës Botërore të Futbollit (FIFA), Gianni Infantino, i bëri thirrje Rusisë dhe Ukrainës që të mbajnë armëpushim njëmujor, gjatë Kampionatit Botëror të Futbollit. Duke folur në samitin e grupit të vendeve më të industrializuara, G20, Infantino tha se Kupa e Botës siguron një “platformë unike” për paqe dhe unitet, sepse ngjarja do të ndiqet nga rreth 5 miliardë njerëz në televizion. “Kështu që lutja ime për të gjithë ju është që të mbani armëpushim për një muaj, aq sa zgjat Kupa e Botës”, tha Infantino në Bali të Indonezisë.