Besimtarët myslimanë në mbarë botën festojnë Fitër Bajramin, një nga festat më të rëndësishme në kalendarin islam, që shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Fitër Bajrami festohet nga rreth 1.9 miliard myslimanë në mbarë botën, duke e bërë një nga ngjarjet fetare më të përhapura globalisht. Nga vendet e Azisë, Afrikës e deri në Evropë, kjo festë shoqërohet me rite fetare, vizita familjare dhe akte bamirësie. Megjithatë, në disa pjesë të botës, veçanërisht në Lindjen e Mesme, ajo po shënohet nën hijen e konflikteve dhe pasigurisë. Në zona të prekura nga luftërat, nga Rripi i Gazës deri në Jemen, shumë familje e presin Bajramin mes mungesës së sigurisë dhe kushteve të rënda ekonomike. Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, kreu lutjet e Fitër Bajramit në Xhaminë e Madhe në Mekë. Myslimanët në Kuvajt dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, i kryen lutjet e Fitër Bajramit në xhami, mes tensioneve të vazhdueshme në rajonin e Gjirit.