Policia Kufitare ka parandaluar një rast të tentativës së kontrabandës me mallra që paguhet akcizë dhe të mos deklarimit të të hollave në kufi. Gjatë kontrolleve të ushtruara në Portin e Durrësit janë sekuestruar rreth 61 mijë e euro dhe 46 artikuj bizhuteri flori. Policia njofton se si rezultat i kontrolleve të shtuara bazuar dhe në analizën e riskut të bërë nga shërbimet e Policisë Kufitare, është kaluar në vijën e dytë për kontroll më të imtësishëm, minibuzi i linjës Shqipëri - Francë - Shqipëri, me drejtues shtetasin A.M. Gjatë kontrollit të kryer në vijën e dytë nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Pikën e Kalimit Kufitar Port Durrës, në bashkëpunim edhe me specialistët e Trafiqeve të Paligjshme dhe ata të hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës, në kabinën e shoferit A.M., janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 60960 euro si dhe 46 artikuj (bizhuteri) floriri.