Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan priti në Anakara këtë të mërkurë kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, në takimin e parë mes tyre pas një viti e gjysmë. Takimi në Pallatin Presidencial zgjati rreth një orë e gjysmë dhe u zhvillua në një klimë pozitive, me të dyja palët që theksuan nevojën për vazhdimin e dialogut në kuadër të Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit mes Greqisë dhe Turqisë. Në fokus të bisedimeve ishin dhe marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet rajonale dhe çështje ndërkombëtare, ndërsa u nënshkruan në kuadër të Këshillit të 6-të të Lartë të Bashkëpunimit Greqi-Turqi, shtatë dokumente bashkëpunimi në fusha të ndryshme si dhe u vendos hapja e një linje detare mes Selanikut dhe Izmirit.