Në prag të festës së Pashkës, pika kufitare e Kapshticës ka regjistruar një rritje të ndjeshme të lëvizjes së qytetarëve që vijnë nga Greqia drejt Shqipërisë. Me qëllim shmangien e vonesave dhe kontrollimin e fluksit, autoritetet kanë shtuar numrin e sporteleve. Gjatë 24 orëve të fundit, përmes kësaj pike kufitare kanë kaluar gjithsej 10 mijë 478 shtetas, nga të cilët 7 mijë e 921 kanë hyrë në Shqipëri dhe 2 mijë 557 janë larguar. Sipas autoriteteve, pjesa më e madhe e udhëtarëve janë emigrantë që po rikthehen për të kaluar festën pranë familjarëve të tyre. Fluksi më i madh është regjistruar në orët e pasdites së ditës së enjte, ndërkohë që pritet që kulmi i lëvizjeve të ndodhë në mbrëmjen e së premtes dhe gjatë së shtunës. Për këtë arsye, është hartuar një plan masash për të përballuar fluksin e shtuar në mënyrë të organizuar dhe pa krijuar radhë të gjata. Edhe pika kufitare e Kakavijës, që është ndër më të frekuentuarat në lidhje me Greqinë, ka shënuar gjithashtu një rritje të lëvizjeve gjatë kësaj kohe. Aktualisht, në të dyja pikat kufitare janë në funksion nga tre sportele në hyrje dhe tre në dalje, duke garantuar një proces të shpejtë kalimi pa pritje të gjata.