Prokuroria Speciale ka nisur hetimet në lidhje me ekspozitën ‘Masakrat në Kosovë 1998- 1999’, të vendosur në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë. Sipas njoftimit, në kuadër të hetimit është marrë në pyetje autori dhe organizatori I ekspozitës, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”. Po ashtu, hetuesit kanë kryer kontroll në banesën e tij, me qëllim të sigurimit të provave që lidhen me rastin. Ekspozita për masakrat e luftës në Kosovë, me autor Shkëlzen Gashin, shkaktuan indinjatë të thellë publike, si pasojë e pasaktësive në pasqyrimin e Masakrave në Kosovë. Reagimet u thelluan më tej me protestën e veteranëve, e cila u shoqërua me protesta, ndërsa nuk munduan dhe qëndrimet nga institucione dhe nga politika. Veteranët e UÇK, deklaruan se ka dyshime se informacionet për ekspozitën janë marrë nga shërbimet sekrete serbe. Pakënaqësia e tyre u intensifikua kur nuk u lejuan të hynin në oborrin e Kuvendit, duke u detyruar të futen me forcë përmes hyrjes kryesore. Edhe kryeministri Albin Kurti pranoi publikisht se përmbajtja e ekspozitës kishte lëshime që duhet të korrigjohen. ai tha se në disa raste kanë munguar masakra të caktuara, ndërsa në pjesë të tjera “ka pasur gabime në tekst që duhet të përmirësohen”. Në anën tjetër, opozita e ka konsideruar skandalin me ekspozitën si manipulim të qëllimshëm. Sipas opozitës, mënyra si është paraqitur dhe miratuar kjo ekspozitë ngre dyshime serioze.