SPAK ka dërguar kërkesë në Gjykatën e Posaçme për pushimin e procedimit ndaj gjyqtares Irena Gjoka për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”. Procedimi ishte regjistruar më 5 qershor 2025, pas një kallëzimi të depozituar nga Adriana Kalaja, në cilësinë e kryetares së Komisionit të Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit në PD. Ajo kishte denoncuar pretendime për falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm. Përmes një njoftimi zyrtar, SPAK bëri të ditur se nga hetimet rezulton se ndaj Gjokës ekziston një vendim i vitit 2005 në Greqi për përdorim dokumentesh të parregullta dhe hyrje të paligjshme në territorin grek.