Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme, Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar Byronë Kombëtare të Hetimit që t’i dorëzojë në paraburgim kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj të gjitha aktet hetimore të dosjes. Materialet me 72 fashikuj dhe rreth 28 mijë faqe janë dërguar për në paraburgimin e Durrësit me një automjet tip furgon pasditen e së martës. Në seancën e parë në themel, që u mbajt më 9 mars, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përsëriti kërkesën për t’u njohur me të gjitha aktet hetimore të SPAK. Kërkesa u argumentua me arsyetimin se ai as ishte njoftuar dhe as ishte njohur me aktet hetimore të organit të akuzës. Prokuroria e Posaçme e kundërshtoi kërkesën e Veliajt, por në përfundim gjykata pranoi kërkesën e mbrojtjes së kryebashkiakut. Veliaj mbahet në paraburgim prej muajit shkur të vitit të kaluar, i dyshuar për kryerjen e veprave penale korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.