Turqia ka reaguar fuqishëm pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të hequr embargon e armëve ndaj Qipros. Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi të premten se SHBA do të heqë zyrtarisht kufizimet e tregtisë në fushën e mbrojtjes për Qipron për vitin fiskal 2023. Ministria e Jashtme turke tha se ky vendim do të “forcojë edhe më shumë mospajtimet e palës greke qipriote dhe do të ndikojnë negativisht në përpjekjet për të zgjidhur çështjen e Qipros”. “Kjo do të çojë në një garë armësh në këtë ishull, duke dëmtuar paqen dhe stabilitetin në Mesdheun lindor”, tha Turqia në deklaratë, përmes së cilës iu bë thirrje SHBA-së që të rishqyrtojë vendimin dhe të ndjekë një politikë të balancuar ndaj të dyja palëve në ishull.