Ish-këshilltari I Shtëpisë së Bardhë, Steve Bannon kishte planifikuar rrëzimin e Papa Franceskut dhe për këtë kishte diskutuar me financierin famëkeq Jeffrey Epstein. Lajmin e përcjell CNN, sipas të cilit mesazhet e shkëmbyera mes tyre në vitin 2019 janë në mesin e dokumenteve të bëra publike së fundmi nga Departamenti amerikan i Drejtësisë. Plani i Bannon për të dobësuar pozitat e Papës argjentinas e ka zanafillën pas largimit të këshilltarit nga nga administrata e parë Trump. Gjatë rrugëtimit të tij, Steve Bannon është shfaqur shpeshherë kritik ndaj Papa Franceskut, sepse e konsideronte kundërshtar të vizionit të tij “sovranist”. “Do ta rrëzojmë Papën”, shkruhet në një mesazh që Bannon i drejtonte Epsteinit. Në mesazhet me Epstein-in, Bannon përmendte librin ‘Sekretet në dollapin e Vatikanit’ të gazetarit francez Frédéric Martel. Libri pretendon se një pjesë e konsiderueshme e klerikëve në Vatikan janë homoseksuale, përfshirë figura të larta të hierarkisë kishtare. Bannon kishte shprehur interes për ta përshtatur librin në film, duke propozuar Epstein-in si producent ekzekutiv. Nuk është e qartë sa serioze ishte kjo ide, por Martel ka deklaruar për CNN se e kishte refuzuar propozimin, dhe e akuzoi Bannonin se donte ta ‘instrumentalizonte’ librin e tij.