Deklaratat kërcënuese vijnë edhe pse Kuba dhe SHBA kanë hapur bisedime që synojnë përmirësimin e marrëdhënieve të tyre kryesisht të pafavorshme, të cilat kanë arritur në një nga momentet më të vështira në 67 vitet që kur Fidel Castro përmbysi regjimin që ishte një aleat i ngushtë i SHBA-së. "Unë besoj se do të kem ndërin të marr Kubën. Ky është një nder i madh. Marrja e Kubës në një farë mënyre", u tha Trump gazetarëve ndërsa ishulli përballet me një krizë të paparë ekonomike, të përkeqësuar nga një bllokadë nafte që SHBA-të vendosën pas kapjes së ish-Presidentit Venezuelan, Nicolas Maduro. "Dua të them, nëse dua e marr. Mendoj se mund të bëj çfarë të dua me të", u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale. Pasi Trump foli, Neë York Times raportoi se largimi i Presidentit Kuban Miguel Diaz-Canel nga detyra është një objektiv kyç i SHBA-së në bisedimet dypalëshe. Duke cituar katër persona të njohur me bisedimet, Times tha se amerikanët u kanë thënë negociatorëve kubanë se Diaz-Canel duhet të largohet, por po ua lënë hapat e mëtejshëm kubanëve. Kuba tradicionalisht ka hedhur poshtë çdo ndërhyrje në punët e saj të brendshme dhe ka konsideruar çdo propozim në këtë front si prishës të çdo marrëveshjeje. Diaz-Canel, 65 vjeç, i cili pasoi të ndjerin Fidel Castro dhe vëllain e tij Raul Castro si president në vitin 2018, tha të premten se priste që bisedimet me SHBA të zhvilloheshin "sipas parimeve të barazisë dhe respektit për sistemet politike të të dy vendeve, sovranitetit dhe vetëvendosjes". Por Trump, pasi largoi Maduron nga pushteti dhe iu bashkua Izraelit në sulmin ndaj Iranit, ka thënë hapur se Kuba është "e radhës".