Ky vit ka filluar me një dinamikë të shtuar rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe vizita të njëpasnjëshme të diplomatëve perëndimorë të angazhuar drejtpërdrejt në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Të mërkurën në Kosovë qëndron këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili po ashtu do të vizitojë edhe Beogradin. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, këtë vizitë të zyrtarit të lartë amerikan e konsideron shumë të rëndësishme, sepse sipas tij "vjen në një moment të rëndësishëm kur po afrohet njëvjetori i pushtimit rus në Ukrainë”.