Partia Demokratike nuk do të humbasë kohë dhe do të kundërshtojë në Gjykatën Kushtetuese dy akte. I pari është dekretimi i Diellës nga ana e Presidentit Bajram Begaj, ndërsa i dyti miratimi me procedurë të përshpejtuar i rregullores së re të Kuvendit nga ana e socialistëve. Kjo ishte vendimmarrja e mbledhjes së grupit parlamentar. Pavarësisht se ndryshimi i rregullores dhe i formatit të komisioneve parlamentare nuk mori pëlqimin e opozitës, Partia Demokratike nuk do të bojkotojë drejtimin e katër komisioneve që u ka lënë mazhoranca. Më konkretisht, Jorida Tabaku është propozuar të drejtojë komisionin për të drejtat e njeriut dhe mjetet e informimit, Bardh Spahiu shëndetësinë dhe mirëqënien sociale, Ina Zhupa Kulturën, turizmin dhe diasporën dhe Luçiano Boçi edukimin, shkencën e sportet.