Irani thotë se Ngushtica e Hormuzit është e mbyllur, ndërsa regjimi paralajmëron se çdo anije që do të tentojë ta kalojë atë do të digjet. Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) e kundërshtoi pretendimin - duke theksuar se ngushtica mbetet e hapur pavarësisht kërcënimeve nga udhëheqja e mbetur e Iranit. Komandanti i Gardës Revolucionare të Iranit deklaroi se kalimi do të bllokohej pasi disa shpërthime të mëdha ishin raportuar përgjatë rrugës kryesore të eksportit të naftës në ditët e fundit. Garda e njoftoi mbylljen pas tre ditësh sulmesh të SHBA-së dhe Izraelit në Teheran. “Ngushtica e Hormuzit është e mbyllur. Kushdo që guxon të kalojë rrezikon shumë. Heronjtë tanë në Marinën dhe korpusin e Gardës do t'i vënë flakën këtyre anijeve. Mos ejani në rajon. Ne nuk do të lejojmë asnjë pikë nafte të dalë që këndej”, tha një zyrtar. Bllokimi i rrugës kryesore ujore mund të shkaktojë kaos ekonomik global duke rritur çmimet e naftës dhe duke rritur koston e jetesës në të gjithë botën. Por mbetet e paqartë nëse Irani mund ta zbatojë kërcënimin e tij, duke pasur parasysh se çdo veprim ka të ngjarë të provokojë një përgjigje masive detare dhe ajrore nga SHBA-ja. Shtetet e Bashkuara kanë pretenduar tashmë se kanë shkatërruar 11 anije luftarake iraniane. Mbyllja e ngushticës mund të ishte një strategji vetë-shkatërruese, pasi do të prekte edhe eksportet e naftës bruto të Iranit. Ngushtica është rruga më e rëndësishme e eksportit të naftës në botë, por kontrollohet nga Irani. Rreth një e pesta e naftës në botë kalon përmes rrugës ujore, me bllokimin që do të ngrinte në qiell cmimet e naftës. Që kur Trump nisi sulmet e tij ndaj Iranit, anijet në Ngushticën e Hormuzit janë shënjestruar disa herë nga të dyja palët. Të hënën, një cisternë iraniane u la duke u djegur në ujë pasi u godit. Ndërsa një cisternë karburanti e një aleati të SHBA-së u dogj gjithashtu në ngushticë pas një sulmi me dron, pretendoi Garda Revolucionare e Iranit të dielën.