Partia Socialiste zyrtarizoi kërkesën për përjashtimin e kryedemokratit Sali Berisha nga punimet parlamentare, me pretendimin se ka përdorur gjuhë fyese, denigruese dhe diskriminuese ndaj ambasadorit të Bashkimit Europian, Silvio Gonzato. Gjuhë, e cila u dënua edhe nga komisionerja europiane për zgjerimin, Marta Kos. Në shkresën që mban firmën e të majtëve, drejtuar sekretariatit të etikës, thuhet se grupi parlamentar të Partisë Socialiste dënon me ashpërsinë më të madhe sulmin ndaj ambasadorit të Bashkimit Europian, Silvio Gonzato.