Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç deklaroi se as Serbia dhe as presidenti i saj Aleksandar Vuçiç nuk kanë ndërhyrë asnjëherë në çështjet e brendshme të Malit të Zi. Ashtu si kryeministrja Ana Brnabiç, edhe Daçiç iu referua një deklarate të presidentit malazez Milo Gjukanoviç sipas të cilit Vuçiç dhe politika e tanishme e Beogradit “treguan qëllime shumë problematike” ndaj Podgoricës dhe se që nga miratimi i Ligjit për Liritë e Fetare në muajin dhjetor, ka pasur agresion të fortë mediatik dhe politik nga Serbia. “ Nuk i bëri Vuçiç thirrje qytetarëve malazezë të dalin e të votojnë, këtë e bëri kryeministri shqiptar Edi Rama dhe të tjerë, e kjo për Gjukanoviç, nuk është ndërhyrje në punët e brendshme”, tha shefi i diplomacisë serbe.