Lufta e Rusisë në Ukrainë ka lënë dhjetëra-mijëra njerëz të vdekur, ka zhvendosur miliona të tjerë dhe ka nxitur krizë ekonomike në gjithë botën. Që nga fillimi i saj më 24 shkurt, 5.237 civilë janë regjistruar si të vrarë dhe 7.035 si të plagosur, ndonëse shifrat aktuale besohet se janë shumë të larta, ka thënë Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut. Shumica e të vrarëve apo të plagosurve kanë qenë viktima të armëve shpërthyese si, artileria, raketat dhe sulmet ajrore, ka thënë kjo Zyrë. As Rusia, as Ukraina nuk kanë dhënë detaje për viktimat ushtarake të konfliktit. Inteligjenca amerikane vlerëson se rreth 15.000 ushtarë rusë janë vrarë deri më tani në Ukrainë dhe numër tre herë më i lartë i ushtarëve janë plagosur. Kjo shifër është gati e njëjtë me numrin e forcave sovjetike që janë vrarë gjatë pushtimit të Afganistanit nga Moska në periudhën 1979-1989. Humbjet e ushtrisë ukrainase janë po ashtu të mëdha, por me gjasë më të vogla sesa të Rusisë, ka thënë shefi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), Uilliam Burns. Prej 24 shkurtit, një e treta e banorëve të Ukrainës – vend me mbi 41 milionë banorë – është detyruar të largohet nga shtëpitë e tyre. Përveç humbjeve në njerëz, Ukraina ka humbur kontrollin e rreth 22 për qind të territorit të saj që nga 2014-ta. Vendi ka humbur një pjesë të vijës bregdetare, ekonomia është shkatërruar dhe disa qytete janë kthyer në gërmadha, si pasojë e bombardimeve ruse.