Sakrifica e madhe e agjërimit përfundoi me festën e Bajramit, e cila u festua nga besimtarët myslimanë në Shqipëri dhe në mbarë botën. Pas një muaji plot rituale fetare, që përfshijnë lutjet dhe reflektimin shpirtëror, kjo ditë shënoi edhe një nga momentet më të rëndësishme për besimtarët. Në Tiranë, mijëra besimtarë u mblodhën në sheshin “Skënderbej” për të kryer faljen e madhe të Bajramit dhe për të bërë lutjet e tyre. Në mesazhin e tij, kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, dha mesazhe paqeje në një kohë që bota po dergjet nga luftërat.