Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Rusisë që të hetojë raportimet për parregullsi në plebishitin jodetyrues, në të cilin janë miratuar ndryshimet kushtetuese, disa prej të cilave i hapin rrugën presidentit rus, Vladimir Putin për të mbetur në pushtet deri më 2036. Kremlini ka përshëndetur të enjten fitoren bindëse, pasi rezultatet kanë treguar që pothuajse 78 për qind e votuesve kanë përkrahur më shumë se 200 ndryshime kushtetuese. Prandaj rezultati është konsideruar si “referendum triumfues ndaj besimit të presidentit Vladimir Putin”. Mirëpo parregullsitë në disa qendra votimi dhe frikësimi i aktivistëve dhe gazetarëve që kanë synuar të monitorojnë votimin, ka nxitur reagimin e bllokut evropian me 27 anëtarë.