Qeveria shqiptare ka rishpërndarë fondin për garantimin e huave të biznesit për rimëkëmbjen e aktivitetit të tyre nga pasojat e krizës së Covid-19. Në maj të vitit të kaluar, ndarja e shumës së garancisë prej 15 miliardë lekësh ishte bërë në përpjesëtim me peshën që secila bankë zotëronte në tregun e kredisë. Por, për shkak të përdorimit me ritme të ndryshme nga bankat të këtij instrumenti, qeveria ka vendosur të bëjë ndryshime në shumat e alokuara, duke i rritur për bankat që e kanë shfrytëzuar të gjithë limitin e përcaktuar në vendimin e parë dhe duke i ulur për bankat që nuk i kishin përdorur shumat e përcaktuara për to.