Bashkimit Evropian ka ngritur shqetësimin se siguria e Ballkanit Perëndimor nuk mund të merret si mirëqënë, pas luftës në Ukrainë. Ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes të shteteve anëtare të BE-së kanë miratuar në takimin e tyre në Bruksel një dokument strategjik për vizionin e sigurisë në dhjetëvjeçarin e ardhshëm. Edhe pse puna në përpilimin e këtij dokumenti kishte nisur para dy vjetësh, agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka zënë vend në këtë dokument dhe ka ndikuar edhe në versionin përfundimtar të tij. Në dokument, BE-ja zotohet që të punojë me parterët në Ballkanin Perëndimor për të forcuar sigurinë.