Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë të hënën, para udhëtimit të tij në Bruksel, se do ta veprojë ashtu siç është më së miri për vendin e tij. “Atyre që paraprakisht po përgatiten të na sulmojnë - sepse do të nënshkruajmë diçka, se do të jemi tradhtarë, dhe paraprakisht e dinë se jemi fajtorë, dhe se po kthehemi në vitet ‘90 - mund t’iu them të mos shqetësohen. Nuk do të ketë as kapitullim, as kthim në vitet ‘90. Serbia do të ecë përpara sado e vështirë të jetë dhe ne do të arrijmë të luftojmë për të”, ka thënë Vuçiç përmes një postimi në Instagram. Ai do të takohet në pasditen e së hënës me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.