Gjykata e Durrësit ka zbutur masën e sigurisë për ish-drejtorin e burgut të Durrësit, Indrit Cerloj i dyshuar për shpërdorim detyre. Vendimi për lirimin e ish-drejtorit vjen pas kërkesës së Cerloj për një masë më të butë sigurie. Edhe pse prokurori i çështjes Edmond Koloshi ka kërkuar lënien në fuqi të arrestit në burg, Gjykata e ka pranuar pjesërisht kërkesën. Gjyqtari Xhevdet Lika ka vendosur zëvendësimin e masës së sigurisē nga ‘arrest në burg’ në ‘arrest shtëpie’. Cerloj u arrestua pas arratisjes së të burgosurit Altin Ndocit më 13 janar. Ai ishte dërguar drejt Spitalit të Durrësit për kryerjen e vizitave mjekësore, kur u largua nga gardianët të cilët dështuan që ta neutralizonin. Ndoci ishte arrestuar në kuadër të operacionit të koduar Plumbi i Artë, si një nga personat e akuzuar për Masakrën e Bradasheshit. Pas ngjarjes, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vendosi transferimin e 33 të burgosurve që qëndronin në Durrës, 27 prej të cilëve të paraburgosur dhe gjashtë të dënuar. Ata u transferuan drejt burgut të Fierit dhe atij të Peqinit.