Në fjalimin drejtuar Kongresit amerikan të martën mbrëma, Presidenti Donald Trump mbrojti tarifat e reja ndaj partnerëve tregtarë të Shteteve të Bashkuara dhe u zotua për shtimin e tyre. “Vendet e tjera kanë përdorur tarifa kundër nesh për dekada, dhe tani është radha jonë”, tha Presidenti Trump në fjalimin e tij të parë para ligjvënësve amerikanë që nga marrja e mandatit të dytë. Fjalimi i presidentit vjen ndërsa Shtetet e Bashkuara vendosën tarifa prej 25% për eksportet nga Kanadaja dhe Meksika, dy partnerët e saj më të mëdhenj tregtarë. Uashingtoni dyfishoi po ashtu një tarifë të mëparshme prej 10% për importet kineze.