Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posacëm i presidentit Trump për bisedimet Kosovë- Serbi, tha se u informua nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi se e ka pezulluar udhëtimin për në Washington, pas publikimit të akuzës nga Prokuroria e posaçme për Kosovën. "E respektoj vendimin e tij që të mos marr pjesë në diskutime derisa nuk zgjidhen çështjet juridike", shkroi zoti Grenell. Ai tha se po pret diskutimet e së shtunës të drejtuara nga presidenti (Aleksandër) Vuçiç dhe kryeministri (Avdullah) Hoti. Ndërkaq edhe zyra e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi konfirmoi ndërprerjen e udhëtimit "pas njoftimit të bërë publik nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me inicimin e ngritjes së aktakuzës".