Tridhjetë vajza dhe djem përfunduan kursin 1-vjeçar të oficerit të ri në Forcat e Armatosura. Në ceremoninë e diplomimit të tyre mori pjesë edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila njoftoi rihapjen e Akademisë së Forcave të Armatosura për maturantët shqiptarë për ciklin akademik 2020-2023. Në prag të përzgjedhjes nga maturantët të universiteteve ku ata duan të studiojnë, ministrja Xhaçka u bëri thirrje atyre të marrin në konsideratë studimet bachelor në Akademinë e Forcave të Armatosura. “Sot, ushtria fillon e kthehet në një profesion të mirëfilltë, që ofron mundësi avancimi e karriere për çdo djalë e vajzë që ka dëshirën për t’i shërbyer vendit, aftësinë për të përballuar sfidën akademike, por edhe atë fizike e të terrenit si dhe disiplinën që është pjesë e karakterit të çdo ushtaraku. Prandaj ju bëj thirrje të gjithë maturantëve që besojnë se i plotësojnë këto kritere, që të aplikojnë për ciklin akademik 2020 – 2023. Dhe i garantoj që do të gjejnë këtu rrugë e mundësi jo thjesht shumë më të mëdha seç i kanë menduar, por edhe shumë më konkrete sesa ato që ofrojnë shumë e shumë degë të tjera të institucioneve të arsimit të lartë.”