Në aeroportin e Rinasit mbërritën nga Turqia pajisjet e reja hidraulike për riparimin e defektit të rëndë në ujësjellësin e Vlorës. Prej pesë ditësh qytetarët vlonjatë nuk kanë furnizim me ujë në banesat e tyre dhe për këtë ngarkuan me përgjegjësi pushtetin vendor duke u ngritur në protesta, në kërkim të përmbushjes së kësaj nevoje jetike. Për këtë problematikë reagoi edhe kryeministri Edi Rama, duke u shprehur se instalimet hidraulike të bëra në vitet 2009-2010 kanë qënë jashtë standardeve, ndaj nuk e kanë mbajtur dot më presionin e ujit dhe për pasojë tubacioni ka shpërthyer. Duket se amortizimi i instalimeve hidraulike dhe mospërmbushja e kritereve, nuk është konstatuar në kohë dhe kjo ka bërë që qytetarët të ngelen këtë fundvit për disa ditë më radhë pa ujë në shtëpitë e tyre.