Policia e Kosovës e ka arrestuar një person të kombësisë serbe me inicialet M.M., nën dyshimet se ka qenë anëtar i një grupi kriminal të përfshirë në vrasjen e politikanit opozitar serb nga veriu i Kosovës, Oliver Ivanovicit. Urdhrin për arrestimin e të dyshuarit e ka dhënë Prokuroria Speciale e Kosovës. Oliver Ivanovic, i cili udhëhoqi nismën qytetare “Liria, demokracia, drejtësia”, u vra më 16 janar 2018 para selisë së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut. Përmes një komunikate për shtyp, Policia tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë anëtar i grupit kriminal të organizuar dhe ka marrë pjesë aktive në kryerjen e veprave penale ‘pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal’.