Qeveria greke ka ndërmarrë një paketë të re masash për të përballuar rritjen e çmimeve të karburanteve, si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme. Kryeministri grek njoftoi se ndërhyrjet do të zbatohen gjatë muajve prill dhe maj, me një kosto totale rreth 300 milionë euro, që ka për synim lehtësimin e barrës për qytetarët dhe ekonominë e vendit. Masa kryesore parashikon subvencionimin e naftës me 16 cent për litër, që përkthehet në rreth 20 cent ulje në çmimin final. Paralelisht rikthehet edhe Karta Digjitale e Karburantit, e cila do të përdoret për furnizim me karburant, transport publik dhe taksi, për të amortizuar rritjen e çmimeve. Sipas autoriteteve, për një konsum mesatare prej 70 litrash në muaj, qytetarët përfitojnë rreth 50 euro për dy muaj në Greqinë kontinentale dhe deri në 60 euro në zonat ishullore, ku kostot janë më të larta. Paketa përfshin edhe ndihmë për bujqësinë dhe transportin detar, ndërsa financimi do të vijë nga buxheti i shtetit dhe taksimi i fitimeve nga lojërat online.