Byroja e Kuvendit mori në shqyrtim këtë të martë ankimimin e gjashtë deputetëve të opozitës që u përjashtuan me 30 ditë nga punimet e parlamentit pas trazirave të shkaktuara në seancën e fundit të sesionit të kaluar. Deputetët e PD pretenduan se vendimi përfundon 22 janar, duke pasur parasysh ndëshkimin e tyre me 30 ditë, sipas vendimit të komisionit të Etikës. Por, socialistët theksuan se vendimi i etikës përcakton se përjashtimi i tyre është 30 ditë pune dhe jo 30 ditë kalendarike. Duke hequr ditët e pushimit, socialistët përllogarisin se përjashtimi i grupit prej gjashtë deputetë të opozitës shkon deri në fillim të muajit mars.