Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj, prezantoi raportin vjetor mbi punën e kryer nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit për lirimin e hapësirave publike në kryeqytet. Në takimin me strukturat e këtij institucioni, nënkryetari Sulaj theksoi se hapësirat e liruara do të kthehen në ambiente rekreative për t’i shërbyer nevojave të komunitetit. “Këto hapësira publike që përmes punës suaj u liruan, do rikthehen në lulishte apo në vende të cilat janë ideuar nga arkitektët më të mirë sot për sot në Evropë dhe këto do të kthehen në vende rekreative për qytetarët e Tiranës. Puna që u bë për lirimin e këtyre hapësirave publike do i japë më shumë ajër, frymëmarrje të gjithë kryeqytetit tonë”. Nënkryetari Sulaj theksoi vendosmërinë për të vijuar dhe çuar më tej punën e deritanishme, duke theksuar po ashtu faktin se strukturat e Inspektoratit do të jenë mirëkuptues edhe ndaj bizneseve që operojnë pranë këtyre platformave, me qëllim krijimin e një klime të qetë bashkëjetese me komunitetin e zonës.