Merr një kthesë të re çështja e operacionit policor të koduar “Kurtaj”, ku në një magazinë në fshatin Kurtaj, Njësia Administrative Gjocaj, u zbuluan rreth 4000 bimë kanabisi të kultivuara në ambiente të mbyllura me anë të llambave. Burime të besueshme bëjnë me dije se drejtori i Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, është vetëparaqitur në polici, për të dhënë sqarime të plota lidhur me ngjarjen, pasi emri i tij u përfshi në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit si pronar i objektit ku u zbulua lënda narkotike. Sipas të njëjtave burime, Hasa ka hedhur poshtë pretendimet e ngritura në njoftimin policor, duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me veprimtarinë e paligjshme të zbuluar në godinë. Mësohet se ai ka pohuar se prej disa muajsh nuk ka shkuar në atë objekt dhe se nuk ka pasur dijeni për atë që mund të ishte ushtruar aty.