Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, njoftoi zgjatjen me 10 ditë të pezullimit të sulmeve ndaj centraleve energjetike të Iranit. Vendimi u njoftua nga vetë Presidenti Trump, dhe sipas tij, vjen pas një kërkese nga qeveria iraniane. Kreu i Shtëpisë së Bardhë shtoi gjithashtu se bisedimet mes Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë ende në zhvillim dhe, sipas tij, po ecin mirë. “Sipas kërkesës së qeverisë iraniane, kjo deklaratë shërben për të njoftuar se po zgjas periudhën e pezullimit të goditjeve ndaj centraleve me 10 ditë, deri të hënën, më 6 prill 2026, në orën 20:00. Bisedimet janë duke vazhduar dhe, pavarësisht deklaratave të gabuara nga mediat e lajmeve të rreme dhe të tjerë, ato po shkojnë shumë mirë. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje”. Më herët, gjatë mbledhjes me kabinetin qeveritar në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Donald Trump tha se Irani autorizoi kalimin e 10 cisternave me naftë përmes Ngushticës së Hormuzit, duke e cilësuar si një “dhuratë” nga Teherani. Më tej Trump tha se iranianët "janë luftëtarë të tmerrshëm dhe negociatorë të shkëlqyer". Por, Presidenti amerikan shtoi se nëse ata nuk braktisin ambiciet e tyre bërthamore, SHBA-të do të bëhen makthi i tyre më i keq, duke shtuar bombardimet.