Përtej debateve për çështjet brenda vendit, e gjithë politika u bashkua në seancën e të enjtes me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po përballen në gjyqin në Hagë. Të majtë e të djathtë u bënë bashkë dhe miratuan me 92 vota pro një rezolutë në mbrojtje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. “Institucionet e drejtësisë ndërkombëtare të deklarojnë pafajësinë e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit përmes një procesi të drejtë dhe të paanshëm, duke mos lejuar që instrumentet e drejtësisë të shndërrohen në mjete për rishkrimin e historisë apo për barazimin e viktimës me agresorin. Shqipëria angazhohet të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm diplomatik dhe politik në forume ndërkombëtare për të siguruar që e vërteta historike mbi luftën çlirimtare të Kosovës të mos cenohet dhe që drejtësia të ushtrohet në mënyrë të drejtë” Deklarata e përbashkët e Kuvendit të Shqipërisë Projekt-rezoluta u propozua në nisje të seancës nga kreu i grupit socialist, Taulant Balla, dhe u hartua nga socialisti Igli Hasani dhe demokrati Tritan Shehu.