Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që synon të kufizojë votimin me postë, një nga mënyrat më të përdorura të votimit në zgjedhjet amerikane. Ky vendim vjen në vijim të deklaratave të përsëritura të Trump, i cili ka hedhur dyshime për integritetin e zgjedhjeve, duke pretenduar pa prova se votimi me postë favorizon manipulimet. Megjithatë, ekspertët dhe institucionet zgjedhore në SHBA kanë theksuar vazhdimisht se nuk ka prova të besueshme për manipulime të gjera në zgjedhje. Urdhri i ri pritet të përballet me sfida të menjëhershme ligjore, pasi mbetet e paqartë nëse presidenti ka kompetencë për të ndërhyrë në rregullat e administrimit të zgjedhjeve, të cilat sipas Kushtetutës janë kryesisht në kompetencë të shteteve. Avokati i njohur i demokratëve, Marc Elias, paralajmëroi se vendimi do të sfidohet në gjykatë. “Do të padisim. Nuk bëj blof dhe zakonisht fitoj,” u shpreh ai. Vendimi vjen në një moment delikat politik, ndërsa republikanët përballen me rrezikun për të humbur kontrollin e Kongresit në zgjedhjet e ndërmjetme të nëntorit.