Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se forcat amerikane mund të përfundojnë operacionet në Iran shumë shpejt, duke përmendur një afat prej dy deri në tre javësh, ndërsa administrata e tij po ndjek paralelisht rrugën e negociatave me autoritetet iraniane. Gjatë një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë, Trump u shpreh se mjafton të tërhiqen nga Irani që situata të ndryshojë menjëherë. “Po e përfundojmë punën dhe besoj se brenda dy javësh, ndoshta edhe pak më shumë, forcat tona do të largohen,” tha ai. Nga ana tjetër, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, konfirmoi se mes SHBA-së dhe Iranit po shkëmbehen mesazhe dhe se nuk përjashtohet një takim i drejtpërdrejtë mes palëve. “Ekziston mundësia për një takim ballë për ballë. Ne do të jemi gjithmonë të hapur për këtë. Mund ta shohim vijën e finishit,” u shpreh Rubio në një intervistë për Fox News. Megjithatë, kryediplomati amerikan paralajmëroi se Uashingtoni nuk do të tolerojë zvarritje të qëllimshme të negociatave nga ana e Teheranit për të fituar kohë. Rubio ngriti gjithashtu pikëpyetje edhe për rolin aktual të NATO-s, duke sugjeruar se aleanca mund të mos i shërbejë më interesave të SHBA-së në të njëjtën mënyrë si më parë, çka lë të hapur mundësinë për një rishqyrtim të rolit të saj.