Ndryshimi i kushteve atmosferike ka shkaktuar vonesa të vogla në mbërritjen e trageteve nga portet italiane në portin detar të Durrësit. Paraditen e sotme në port kanë mbërritur rreth 1 orë më vonë se parashikimi 2 tragetet e linjës Bari-Durrës, ndërsa trageti i Ankonës nuk ka pasur vonesa. Katër mijë udhëtarë kanë mbërritur me tragete nga Italia në portin detar të Durrësit. Deti regjistron një forcë prej 4-5 ballësh, e cila nuk e ka ndërprerë lundrimin detar. Bashkë me 4 mijë udhëtarët, kryesisht familje emigrantësh që kthehen për pushime në atdhe, kanë mbërritur me 3 tragetet e linjës edhe 990 automjete dhe 124 kamiona mallrash.