Një nga zonat e prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit në Lezhë është edhe njësia administrative e Zejmenit. Prej një jave, dhjetëra hektarë tokë bujqësore në fshatrat Spiten dhe Tresh ndodhen nën ujë, i cili në disa zona ka arritur deri në 1 metër. Fermerët shprehen të shqetësuar pasi nuk kanë më shpresë që mbjelljet e grurit dhe jonxhës të japin rendiment këtë sezon, për shkak të prezencës së ujit për një kohë të gjatë në tokat e tyre. Ata thonë se kjo është një situatë e përsëritur dhe asnjëherë nuk janë kompensuar për dëmet e shkaktuara.