Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor për kryetaren e Gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedani, pasi bënte video në ambientet e zyrës në rrjetin social “Tik Tok”. Urdhri nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani erdhi pasi në media qarkullonin video ku ajo bënte pasarelë dhe video për rrjete sociale në ambientet e gjykatës. Në një prej videove të saj, dëgjohet në sfond kënga e Don Xhonit “Mafia”, ndërsa ajo filmon veten në ambientet e gjykatës. Në video ajo reklamon veshjet e markave të shtrenjta dhe makinën e saj tip “Audi”, ndërsa është edhe një moment kur ajo ecën me shpejtësi dhe bën një parakalim të gabuar në rrugë.