Libani është përfshirë nga frika se tërbimi i Izraelit këtë radhë, nuk do të kufizohet vetëm tek ndërhyrjet në rajonet kufitare të tij. Ministria e jashtme libaneze pohoi se druhen që infrastruktura e vendit mund të bëhet shënjestër e një ofensivë tyë mirëfilltë izraelite, pas përshkallëzimit të sulmeve të shtetit hebre ndaj Hezbollahut të mbështetur nga Teherani. Mes përshkallëzimit të tensioneve, ushtria libaneze akuzoi palën izraelite se ka hapur zjarr pranë një poste ushtarake në jug të vendit, dhe shtoi se ka urdhëruar trupat e saj të kundërpërgjigjen. “Ka shenja që izraelitët mund të godasin shumë fort në rast të një përshkallëzimi, duke përfshirë potencialisht edhe infrastrukturën strategjike si aeroporti,” pohoi kreu i diplomacisë libaneze Youssef Raggi për gazetarët në Gjenevë. Komentet e tij erdhën në sfondin e një grumbullimi masiv ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme, që tregon se Uashingtoni është i përgatitur për një fushatë të gjatë kundër Iranit, që kërcënon nga ana e tij të hakmerret “me egërsi”. “Ne aktualisht po bëjmë përpjekje diplomatike për të kërkuar që, edhe në rast të hakmarrjes, infrastruktura civile libaneze të mos shënjestrohet,” theksoi Raggi. Një zyrtar libanez që kërkoi të mbetet anonim pohoi megjithatë se libanezët i druhen një reaksioni zinxhir: një sulm amerikan ndaj Iranit, një hakmarrje e Hezbollahut kundër Izraelit, e ndjekur nga një përgjigje masive izraelite.” Raggi tha se shpreson që “Hezbollah të frenohet nga çdo aventurë e re dhe ta kursejë Libanin nga shkatërrimi i mëtejshëm.” Të hënën, Uashingtoni urdhëroi personelin jo emergjent të largohet nga ambasada e tij në kryeqytetin libanez, Beirut. Një ditë më vonë, në Kajro u mbajt një takim përgatitor përpara një konference në Paris muajin e ardhshëm që stnon mbështetjen e ushtrisë libaneze, e cila po përballet me një presion në rritje nga Uashingtoni dhe Izraeli për të çarmatosur Hezbollahun.