Emigracioni jashtë vendit, zhvendosja në kryeqytet apo qytetet e tjera të mëdha dhe plakja e popullsisë kanë bërë që numri i të moshuarve të vetmuar në Korçë të vijë duke u rritur. Rreth 1400 persona të moshës së tretë në nevojë për përkujdesje u evidentuan vitin e kaluar nga Këshilli i Qarkut në bashkitë Korçë, Maliq dhe Pogradec. Nevojat e adresuara prej tyre përfshijnë shërbime nga më baziket si pazare ushqimore, plotësim dokumentacioni në e-albania, e deri tek shërbimi i mjekut apo kujdesi psikosocial.