Kryeministri Edi Rama ka mbyllur takimin me krerët e bashkive dhe në përfundim u dha porositë për çfarë diskutuan. “Këto punë që folëm t’i bëjmë të gjitha dhe sa më mirë’, u tha Rama kryebashkiakëve. Ndër të tjera kreu i qeverisë kërkoi ngritjen e një task force për pastrimin e qyteteve. “Ndërkohë që ne po bëjmë gati një ndryshim të rëndësishëm ligjor sa i përket planifikimit dhe zhvillimit të territorit. Sot kemi tre struktura, që do të bashkohen bashkë sepse duhet t’i japim rëndësi strehimit. Për këtë po punojmë me disa projekte të veçanta, sic jemi zotuar. Me Ministrinë e Bujqësisë dhe të Mbrojtjes kemi diskutuar lidhur me krijimin e një ure bashkëpunimi. Kam parasysh edhe infrastrukturën mbrojtëse, hidrovoret që janë themelore për të mbrojtur tokat dhe shtëpitë nga përmbytjet dhe për të siguruar mirëfunksionimin e këtij sistemi. Jemi duke punuar edhe për të riparë sistemin e mbledhjes së mbeturinave, gjë që e kemi bërë me dije për sa i përket aspektit të përpunimit të mbetjeve, por në këtë rast flas për mbeturinat që përgjithësisht janë një problem, sidomos në sezonin turistik, në hapësirat e bashkive që nuk janë zona urbane. Dhe për këtë aspekt është e domosdoshme që të ngrihet një task-forcë mes qeverisë dhe pushtetit vendor gjë për të cilën është ngarkuar Ministri i Mjedisit së bashku me Ministrin e Pushtetit Vendor për të ndërtuar një plan afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë nga sensibilizimi masiv deri tek hapat që duhen ndërmarrë, duke pasur parasysh edhe një sërë shembujsh pozitivë që kemi”, tha Rama.