Kryeministri Edi Rama mikpriti sot Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, në vizitën e tij të parë në Shqipëri, e cila zhvillohet në kuadër të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve. Kryeministri britanik Starmer u mirëprit në një ceremoni zyrtare, e cila vijoi me takimin kokë më kokë mes dy homologëve e më pas mes delegacioneve përkatëse. Në kuadër të kësaj vizite dhe forcimit të bashkëpunimit mes vendeve u nënshkrua “Deklarata e Përbashkët Mbretëri e Bashkuar–Shqipëri për Avancimin e Bashkëpunimit Dypalësh mbi Prioritetet e Përbashkëta” nga Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme te Republikës së Shqipërisë dhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Nicholas Robert John Abbott.