Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti këtë të enjte Shefin e Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-së, Gjeneralin Daniel R. Hokanson. Në takim mori pjesë dhe ambasadorja Yuri Kim ndërsa temë diskutimi ishte fusha e mbrojtjes dhe sigurisë. Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, kreu I shtetit vlerësoi bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara pasi prej dekadash kanë ndihmuar në modernizimin e Forcave të Armatosura. Po ashtu presidenti Begaj diskutoi me gjeneralin Hokanson edhe mbi bashkëpunimin e mëtejshëm në fushën e mbrojtjes, si dhe sigurisë kibernetike. Në fokus të diskutimeve ishin dhe zhvillimet në rajon, dhe në veçanti zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës.