Bashkimi Europian ka reaguar pas lajmeve për vrasjen e pesë gazetarëve, katër punonjësve të shëndetësisë dhe disa civilëve gjatë sulmeve të djeshme në Gaza, duke e cilësuar ngjarjen si krejtësisht të papranueshme. “Civilët dhe gazetarët duhet të mbrohen nga e drejta ndërkombëtare. Ne përsërisim thirrjen tonë ndaj Izraelit që të respektojë të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe të sigurojë që këto sulme të hetohen,” deklaroi zëdhënësi i Komisionit Europian, Anouar El Anouni, në një konferencë për shtyp. Ai theksoi gjithashtu se BE vë në dukje deklaratat e autoriteteve izraelite se do të kryhet një hetim i plotë për ngjarjen. Ngjarja e rëndë ka shtuar tensionet dhe kritikat ndaj operacioneve ushtarake në Rripin e Gazës, ku shpesh viktima bëhen civilë, gazetarë dhe punonjës humanitarë.