I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, do të takohet të shtunën në mëngjes me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dy ditë para se Ligji për të huajt dhe ai për automjetet të fillojë të zbatohet plotësisht. Zyra e Kurtit njoftoi se kryeministri do ta presë në kryeqytet Sorensenin për një takim në orën 8:30, pa dhënë detaje. Por, Radio Evropa e Lirë mëson jozyrtarisht se arsyeja e vizitës është zbatimi i këtyre ligjeve. Ligjet filluan së zbatuari më 16 janar, por vetëm si një fushatë informuese për procedurat dhe rregullat. Faza e tyre, ajo e zbatimit të plotë të ligjeve, është caktuar të fillojë të hënën më 16 mars. Sipas këtyre ligjeve, të gjithë ata që nuk kanë dokumente të Kosovës, do të duhet të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë më gjatë se tre muaj ose vetëm në bazë të autorizimit. Zbatimin e plotë të ligjeve për të huajt dhe për automjetet e kundërshtojnë pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, përfaqësuesit e tyre politikë dhe organizatat e shoqërisë civile.