Lufta në Lindjen e Mesme dhe siguria e shqiptarëve që jetojnë atje është prioritet kryesor i Shqipërisë, e cila ka dënuar ashpër sulmet e Iranit ndaj vendeve fqinje. Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, e nisi detyrën e re menjëherë pas prezantimit, me një takim të shtabit të Posaçëm, të ngritur nga ky dikaster, me ekipin drejtues dhe ambasadorët e Shqipërisë në Lindjen e Mesme, të cilët po ndjekin çdo zhvillim në rajon. “Dosja e parë në tavolinën time: përditësimi me situatën e sigurisë në vendet e Lindjes së Mesme, si pasojë e përshkallëzimit ushtarak në rajon, dhe në veçanti, analizimi i detajuar i problematikave dhe nevojave të qytetarëve shqiptarë, rezidentë apo me qëndrim të përkohshëm në këto vende. Shtabi i posaçëm i ngritur në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe ekipi drejtues i institucionit, në koordinim të ngushtë me përfaqësitë tona diplomatike në rajon, po ndjek në mënyrë të pandërprerë dhe me vëmendje maksimale çdo zhvillim”.